Një nervozizëm dhe pesimizëm është krijuar rreth aftësisë së Bajernit të Mynihut për të realizuar objektivat e verës për të përforcuar skuadrën. Kampionia e Gjermanisë kërkon lojtarë sulmues krahu, pas largimit të Riberisë dhe Robenit, ndërsa në rolet natyrale ka vetëm Kingsli Komanin dhe Serg Gnabrinë.
Shumë emra janë paraqitur në media, por asnjë nuk ka arritur deri tani. Leroi Sane është dëshira kryesore, pastaj belgu Janik Karrasko. Vetë presidenti Uli Hënes është shprehur se Sane është jashtë logjike përsa i përket shpenzimit që kërkon, pra alternativë është belgu.
Karrasko luan në Kinë, por dëshiron të kthehet në Europë, dhe është i pakënaqur atje. Potenciali dhe përvoja e 25-vjeçarit janë të rëndësishme, me 23 gola e 17 asistë në 124 ndeshje kur ishte tek Atletiko e Madridit.
Bavarezët kanë hedhur “grepat” edhe në Itali, ku pritet të bëjnë një ofertë të papritur për një 18-vjeçar të Kievos së Veronës. Quhet Emanuele Vinjato, ka 600 minuta përvojë në Serinë A, dhe pëlqehet gjithshtu nga Juventusi dhe Napoli. Besohet se në Mynih e quajnë Vinjaton si një zëvendësues të ardhshëm të Riberisë apo Robenit.
Nëse me 80 milionë eurot e shpenzuara për Lukas Hernandezin, Bajerni tregoi ambiciet e mëdha të verës, ndërsa me Vinjaton po tregon të kundërtën, se planifikon edhe të ardhmen.
Së fundi, drejtuesit në Bavari nuk janë të bindur nga lojtari ofensiv i Lilës, Nikolas Pepe, edhe pse kishin shfaqur interes dhe besohej se ishin të lidhur fuqishëm me një transferim të tij. Lojtari i Bregut të Fildishtë ka shënuar shumë gola, dhe ka ndihmuar për të shënuar shumë të tjerë, por ndoshta nuk është aq shumë lojtar sulmues krahu, sa dëshiron Bajerni.
Sfidanti.al