“Agjërim” pa fund, Feteli ka 300 ditë pa fitore në Formula 1

Që të gjesh një sukses do të duhet të kthehesh gati 1 vit prapa, në Çmimin e Madh të Belgjikës, plot 301 ditë më herët. Ajo mbetet fitorja e fundit e Sebastian Fetelit në Formula 1, dhe kjo edhe pse është në timonin e një makine legjendare si Ferrari. E gjitha kjo u kujtua më shumë nga paraqitja tepër e dobët e pilotit gjerman në Çmimin e Madh të Francës, ku doli vetëm i 7-ti në konkurrimin për vendin e parë në nisje.

Padyshim që është një moment i vështirë i Fetelit, pasi shoku i tij tek Ferrari, Leklerk doli në vend të tretë, edhe pse me diferencë me dy makinat Mercedes. E gjitha kjo, në ditën kur Ljuis Hamilton fitoi “pole position”-in numër 86 të karrierës, një rekord plot 18 gara më i madh sesa ai i Mikael Shumaherit. Katër herë kampioni i botës mbeti 1.5 sekonda prapa anglezit, një tjetër shenjë se diçka nuk shkon.

Ka mendime se Feteli mori goditje të rëndë nga dënimi që iu dha në Kanada, duke i hequr fitoren nga duart. Rregullorja është e qartë, por edhe pilotët e tjerë të F1-it patën keqardhje për pilotin e Ferrarit dhe kërkuan ndryshimin e rregullave. Fjalë edhe më të këqija dëgjohen nga disa emra të njohur. Ish-pronari i Formula 1, Berni Ekëlstoun thotë se “nuk do të duhet shumë shtysë që Feteli t’i japë fund karrierës, ndoshta në mbyllje të këtij sezoni”. Shefi i Red Bullit, ku gjermani fitoi 4 tituj, thekson se “Feteli duket se nuk po ndjen më kënaqësi në Formula 1”.

Sfidanti.al