Juventusi mund Atalantën, shkëputet në Serinë A, por ka frikë!

“Për ne do të jetë sërish e vështirë, pasi jemi në garë në të gjitha konkurrimet, ndaj do të jetë e lodhshme”. Me këto fjalë, Masimiliano Alegri, përmblodhi shqetësimet e tij për pjesën e mbetur të sezonit të Juventusit, edhe pse po fliste në momentin më të mirë, pikërisht pas fitores 2-0 me Atalantën që solli një diferencë prej 4 pikësh ndaj Napolit, tashmë në vend të dytë.

“Napoli është ende i rrezikshëm dhe do të synojë të na kalojë”, – vazhdoi trajneri juventin. Gonzalo Higuain dhe Blez Matyidi ishin autorët e golave, ndërsa Paulo Dibala mori një “turn pushimi”. Gjithsesi, deri në minutën e 81-të, Atalanta ishte në ndeshje, nën shifrat vetëm 0-1, por nuk ia doli, siç nuk ia doli portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, të mos lejonte golat. Dalja me karton të kuq e Mançinit në 79’ e dënoi skuadrën bergamaske, që sidoqoftë mund të krenohet me sezonin e saj në Serinë A (vendi i 8-të), në Ligën e Europës (në turin e dytë) dhe në Kupën e Italisë (në gjysmëfinale).

Sfidanti.al