Clippers, Kawhi Leonard dyshohet për pagesa të fshehta jashtë rregullores së NBA

Los Angeles Clippers ndodhen në qendër të një stuhie të madhe, pasi akuzohen për shkelje të sistemit të kufizimit të pagave të NBA-së. Sipas raportimeve, ekipi kalifornian i ka paguar Kawhi Leonard-it plot 28 milionë dollarë shtesë, përtej kontratës së tij, përmes një marrëveshjeje të dyshimtë me kompaninë Aspiration. Marrëveshja, e firmosur në prill 2022, u prezantua si bashkëpunim i Leonard si “zëdhënës” i Aspiration, kompani e bashkëthemeluar nga pronari i Clippers, Steve Ballmer. Megjithatë, pas falimentimit të kompanisë, dyshimet për një “punë fiktive” janë rritur ndjeshëm.

NBA ka hapur një hetim mbi rastin, pasi çështja është bërë virale në rrjetet sociale. Vetë Clippers e kanë quajtur akuzën “absurde”, duke theksuar se nuk kanë më asnjë lidhje me Aspiration dhe madje e konsiderojnë veten palë të dëmtuar në këtë situatë. Pavarësisht kësaj, reputacioni i klubit është goditur rëndë dhe mbetet për t’u parë nëse hetimi do të sjellë sanksione, gjoba apo dënime sportive.

Leonard, i cili aktualisht është 34 vjeç, ka një kontratë prej 176 milionë dollarësh me Clippers, të nënshkruar në vitin 2021. Marrëveshja me Aspiration u shtua vetëm nëntë muaj më pas, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën financiare të klubit.

sfidanti.al