Milani po përgatitet për një revolucion në mesfushë pas pushimit të kombëtareve, dhe emri më i përfolur është ai i Adrien Rabiot. Mesfushori francez, i transferuar së fundmi nga Marseille, ka kaluar me sukses testet fizike te Milanello, duke bindur stafin teknik se është gati për të nisur nga minuta e parë në ndeshjen kundër Bolognas.
I preferuari i madh i trajnerit Massimiliano Allegri, Rabiot pritet të zërë rolin si gjysmanësorit së majtë, në vend të njërit mes Loftus-Cheek dhe Fofana. Rotacionet janë të mundshme, sidomos për shkak të lodhjes së disa titullarëve që kanë udhëtuar me kombëtaret e tyre në ndeshjet e fundit.
Rabiot jo vetëm që ka impresionuar në fushë, por ka treguar edhe përkushtim ndaj projektit kuqezi duke pranuar një ulje page krahasuar me ofertën franceze. Në Milano do të fitojë më pak se 5 milionë euro në vit, por kontrata e tij parashikon bonuse të lidhura me arritjet personale dhe sukseset e ekipit.
Në mesfushë, francezi do të ketë përkrah Luka Modriçin, i cili në moshën 40-vjeçare është ende titullar i padiskutueshëm. Kroati, që ka festuar ditëlindjen pikërisht në Milanello, e ka shprehur qartë dëshirën e tij për sezonin aktual: “Dhurata më e madhe që dua këtë vit është një trofe me Milanin”, tha Modriç me emocion.
Milani duket gati për të nisur një fazë të re me kombinimin e përvojës së Modriç-it dhe freskisë së Rabiot, dy elementë që mund të jenë çelësi i suksesit në një sezon ku objektivat janë të mëdha.
sfidanti.al