Situata e futbollit rus mbetet e izoluar edhe pas më shumë se tri vitesh nga pushtimi i Ukrainës. Që prej 24 shkurtit 2022, UEFA dhe FIFA vendosën të përjashtonin ekipet ruse, si kombëtaret ashtu edhe klubet, nga të gjitha garat ndërkombëtare. Një vendim që shënoi një kthesë historike në sportin botëror dhe që u shoqërua edhe me ndërprerjen e menjëhershme të marrëveshjes së UEFA-s me sponsorin Gazprom.
Që nga ajo kohë, Rusia është e detyruar të luajë vetëm ndeshje miqësore, ndërkohë që pjesa tjetër e kombëtareve zhvillojnë sfida zyrtare për kualifikime në Botëror apo Evropian. Kohët e fundit, për shembull, Rusia luajti ndaj Katarit, ndërsa vendet e tjera garonin për një vend në Kupën e Botës 2026.
Nëntë kombëtare që i thonë “jo” Rusisë
Pas pushtimit të Ukrainës, një grup prej nëntë kombëtareve kanë refuzuar kategorikisht të luajnë miqësore kundër Rusisë. Bëhet fjalë për: Anglinë, Skocinë, Irlandën e Veriut, Republikën e Irlandës, Republikën Çeke, Suedinë, Polonin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Uellsin.
Këto federata dërguan vendimin e tyre menjëherë pas agresionit rus dhe e kanë përsëritur vazhdimisht qëndrimin ndërsa lufta vijon.
Futbolli rus në izolim
Nga dita e pezullimit deri më sot, Rusia ka zhvilluar 18 ndeshje jozyrtare, kryesisht ndaj kombëtareve të vogla ose jashtë kontinentit europian. Mes kundërshtarëve të saj kanë qenë Kirgistani, Taxhikistani, Uzbekistani, Irani, Iraku, Kameruni, Kenia, Kuba, Serbia, Bjellorusia (dy herë), Vietnami, Brunei, Siria, Grenada, Zambia, Nigeria, Jordania dhe së fundmi Katari.
Vendimi i nëntë kombëtareve tregon se izolimi sportiv i Rusisë mbetet i fortë dhe se rikthimi i saj në skenën ndërkombëtare është ende shumë larg.
sfidanti.al