Juventusi ka Ronaldon, por Milani tani ka Piontekun!

Ajo që po shpresonin tifozët e Milanit duket se po bëhet realitet. Kristof Piontek po tregon edhe me fanelën kuqezi se e ka të fortë instinktin për golin. Polaku vazhdoi me rrjetat e tij, duke shënuar edhe ndaj Kaljarit, në fitoren 3-0, dhe tashmë është kthyer në një protagonist. Ndoshta, jo aq sa Kristiano Ronaldo, por gjithsesi nuk mbetet shumë poshtë. Nëse Juvja ka CR7-ën që e çon përpara, Milani ka Piontekun, si garanci për golat.

Në 25 ndeshje gjithsej këtë sezon, polaku ka realizuar 23 rrjeta, ndërsa me milanistët është 4-4. Ronaldo, madje, është pak më prapa nëse llogarit statistikat, pasi ka shënuar 20 gola në 31 takime këtë edicion (bashkë me atë ndaj Sasuolos), ndonëse në Serinë A është pak përpara, 18 me 15.

Milani, gjithsesi, ka edhe trajnerin Xhenaro Gatuzo që po tregohet gjithnjë e më i zoti, por po ashtu ka edhe blerjen tjetër të janarit, Paketën nga Brazili që po shkëlqen. Gatuzo është padyshim komandanti dhe motoja e tij është: “Tek Milani flasim me NE, jo me UNË, nuk duhet të kënaqemi kurrë”!

Sfidanti.al