Nga Fergusoni te Cungu, kur humbjet përjetohen ndryshe

Nja 30 vjet më parë, një trajner i quajtur Aleks Ferguson dilte nga fusha i shkatërruar në derbin e Mançesterit. Junajtidi ishte mundur 1-5 nga Siti dhe tifozët kërkonin me zë të lartë “shkarkojeni skocezin”. Ditën e djeshme, një trajner shqiptar i quajtur Armando Cungu doli nga fusha (me nder me thënë) e Kamzës me një humbje “të thjeshtë”, 0-1 ndaj Tiranës, dhe ata që kërkonin me zë të lartë “gijotinën” për trajnerin nuk ishin tifozët, por … analistët.

Shefi i atëhershëm i Mançester Junajtidit, Dankën Eduards, ishte i qartë dhe e kishte ndarë mendjen që të vazhdonte me Fergusonin, një trajner të sprovuar, duke i dhënë mbështetje të plotë. U desh të kalonin shumë kohë që “parandjenja” e Eduardsit të dilte e vërtetë, dhe Fergusonin e pati mundësinë të ndërtonte një skuadër.

Duket se Cungu nuk do ta ketë këtë mundësi, dhe jo vetëm sepse presidenti i tij nuk ka shumë durim, por edhe sepse “ambient” rreth e rrotull nuk ka as durim, por lufton edhe për interesa personale, që nga dëshira për të “shkëlqyer” në studio e për t’u bërë protagonist, e deri tek ambicia për t’u kthyer në stol, pse jo në atë të Cungut.

Shkodrani ishte te Kukësi kur skuadra kaloi katër ture në Ligën e Europës, ishte tek Laçi kur ekipi fitoi Kupën e Shqipërisë dhe kaloi një tur në Ligën e Europës, dhe ishte po ai në stol në gjysmën e parë të sezonit, kur mori një skuadër të shkatërruar dhe e ngjiti në vend të dytë, vetëm 3 pikë larg Partizanit në dhjetor. Nëse të gjitha këto shumëzohen me zero, atëherë te Kukësi do të fillojë sërish historia e “Pëlhurës së Penelopës”, thur ditën, e shthur natën.

Sfidanti.al