Gatuzo beson tek Juvja për Championsin e Milanit të tij

Nuk ndodh gjithnjë, por shpresa vdes e fundit. Xhenaro Gatuzo nuk e quan dështim moskualifikimin e Milanit për në Champions, por dëshiron ta provojë në këto dy javë që kanë mbetur në Serinë A. Atalanta është në vend të katërt me 65 pikë ndaj 62 të kuqezinjve, dhe trajneri milanist shpreson tek të tjerët. Shpresa më e madhe quhet Juventus, dhe nëse kampionët e mundin sot Atalantën (me Milanin që duhet të ketë fituar me Frozinonen), atëherë Gatuzo e ka fatin në duart e tij.

“Kam besim tek ndershmëria e Juventusit, – tha Gatuzo, – edhe pse ka dalë kampione. Shpresoj te korrektesa e të gjithëve. Gjithsesi, duhet të mendojmë për fitoret tona, kemi në dorë krenarinë tonë, jo kualifikimin. Nëse Atalanta shkon në Champions, e meriton”.

Milan-Frozinone luhet sot në 15:00, ndërsa Juve-Atalanta në 20:30. Në javën e fundit të Serisë A, në 26 maj, Atalanta pret Sasuolon dhe Milani shkon në fushën e SPAL-it. Nëse dy ekipet përfundojnë me pikë të barabarta, më lart del Milani që fitoi 3-1 në fushën e Atalantës, ndërsa në “San Siro” përfundoi 2-2.

Sfidanti.al