Alarmi i Italisë, mos po kthehen vdekjet e lojës më të bukur në botë?!

Në 11 vitet e fundit kishte ndodhur vetëm një tragjedi, ajo e 2014-ës, kur humbi jetën tifozi i Napolit, Çiro Espozito, në finalen e Kupës së Italisë. Futbolli në Apenine kishte prodhuar tensione, por jo humbje jete, pavarësisht krizës së rëndë ekonomike të vitit 2008, dhe krizës së vendit për shkak të formatit të Bashkimit Europian.

Qetësia duket se u prish me gjakun e derdhur jashtë “San Siros” në përfundim të Inter-Napoli për Serinë A. Daniele Belardineli u godit nga një makinë përpara ndeshjes. Ai ishte tifoz i Interit, veçse nga Vareze. E kaluara e tij nuk ishte aspak e qetë, pasi dy herë ishte dënuar me nga 5 vjet për të mos shkelur në stadium, për shkak të dhunës së shkaktuar prej tij dhe grupit të tij të tifozëve, “Gjaku dhe Nderi”.

Në një vend në krizë të thellë ekonomike, dhe me probleme të mëdha sociale, është logjike që dhuna të shtohet dhe ekziston frika për humbje të tjera jete.

Një pjesë e kësaj dhune është edhe racizmi, i shtuar së fundmi nga frika prej emigrantëve, dhe po ashtu i shtuar nga rritja e papunësisë apo e pamundësisë për t’u shkolluar siç duhet. Italia njohu frikën nga dhuna e futbollit në vitet 1988-2007, kur humbën jetën 20 persona, frika po kthehet se mos ajo kohë përsëritet.

Sfidanti.al