Ku ka si Tirona! Çunat e Sistemit , “investitoret”, po vishen bardheblu

Kanë ndërruar kasetën në mjediset e FSHF-së dhe kënga hit e momentit është “ Ku ka si Tirona”. E këndon i madhi, tërbohen edhe të vegjëlit. Më në fund, pas shumë skedinave të djegura tërë këto kohë, u gjet ekipi që do të lëshohet në qiellin e lumturisë. Tirana nuk do të jetë më klubi i halleve të mëdha, i braktisur nga brenda dhe nga jashtë , i shpërfillur edhe nga tifozët, por do të shndërrohet në një “koshere” me bletë, ku mjaltin do ta marrin pak vetë, kurse fitoret do të jenë për të gjithë. Po vijnë “investitorët” lajmëron kamabana? Akoma nuk jepen emra, por janë çunat e sistemit, me të cilët të duket sikur udhëton me “Ferrari” nga parajsa drejt… ferrit. Ata që tërë këto vite ia nxinë jetën në prapaskenë bardhebluve, do të shfaqen si engjëj shpetimtarë. Tiranës nuk do t’i fiken më dritat kur të luajë ndeshjen Derbi me Partizanin, sepse po vijnë dita të bukura, si fshati në festë, ku klubi do të ketë aq shumë drita, sa do të “shesë energji” klubeve të tjera…
Tifozët e Tiranës, ata që janë mësuar të fitojnë trofe me talentin e futbollistit, forcën e shpirtit dhe karakterit, po përjetojnë “apokalipsin shpirtëror” kur dëgjojnë të thuhet se Tirana do të ngrihet brenda natës! Cilët do të jenë magjistarët që do të bëjnë mrekullinë? Nuk quhen Mesi apo Ronaldo, Mbape apo Nejmar, janë çuna pa emër për momentin, që “luajnë” futbollin pa top, janë ata që dashurinë më të madhe kanë ngritjen e stadiumeve, edhe nese loja është me hile brenda.. Kur lindi futbolli , topi ishte prej lecke , tani që po lëshon gulçimat e vdekjes morale , topi është bërë prej betoni! Tirana edhe mund ta pësojë në fund me “investitorët” që po trokasin me bujë, por me këngën “ku ka si Tirona” , fillimi do të jetë i bujshëm, trondites! Aq sa do të besohet se nuk është farsë, por do të lutemi në “kishën e futbollit” me pengun : O zot pse na i vonove kaq shumë këta investitorët !

Sfidanti.al