Sergio Ramosi, “Zotëria 150” përkujton Aragonesin dhe Puertën

Menjëherë pas ndeshjes së Spanjës në Gjermani, kapiteni i saj, Sergio Ramos, hodhi në rrjetet sociale një tekst që ishte i tillë: “Kur vesha këtë fanelë 13 vjet më parë ishte e pabesueshme, ta bësh 150 herë është një ëndërr e realizuar vetëm prej të gjithëve ju, trajnerëve, shokëve të skuadrës, tifozëve … Dhe, veçanërisht dy rreze drite speciale: Faleminderit Luis (Aragones), dhe gjithnjë me ty Antonio (Puerta).

Ramosi mbushi 150 ndeshje me seleksionin dhe falenderimin më të madh e pati për trajnerin e tij të parë në kombëtare, Luis Aragones, ndërsa dedikimin më të madh për ish-shokun e tij tek Sevilja, Antonio Puerta, që vdiq në fushën e lojës në moshën 22-vjeçare. Kapiteni i Realit dhe i Spanjës është sot 31 vjeç, ndërsa debutimin e bëri në moshën 18-vjeçare (mars 2005, miqësore ndaj Kinës), ndërsa ishte ende futbollist i Seviljes.

Me “Furitë e kuqe”, Ramosi fitoi Kupën e Botës në vitin 2010, si dhe dy herë Kampionatin Europian në 2008 e 2012. Atij do t’i duhen edhe 17 ndeshje për të barazuar rekordin spanjoll mbajtur nga portieri Iker Kasijas me 167 takime, ndërsa rekordin botëror e mban Ahmed Hasani i Egjiptit me 184 ndeshje.

Sfidanti.al