Suksesi i Çelsit? Në Angli flasin për “dashurinë e ashpër” të Lampardit

Lista e gjobave u zbulua në media pak ditë më parë, dhe ishte një “menu” mjaft e pasur. Kushdo e kupton se Frenk Lampard është fanatik i disiplinës dhe kështu po bën tek Çelsi, me një numër të madh rregullash të shkruara e të firmosura. Gjithsesi, ish-ylli i Bluve të Londrës e ka të qartë se një skuadër nuk mund të ketë sukses vetëm me ashpërsi dhe gjoba, ndaj në Angli po flasin për “dashurinë e tij të ashpër”.

Lampardi ndërhyn menjëherë kur ka ndonjë problem, duke zgjidhur kriza të vogla që mund të bëhen të mëdha, siç ndodhi kur Zhorzhinjo dhe Uillian bënë fjalë me Ros Barklin për gjuajtjen e një penalltie. Trajneri mbajti anën e Barklit, që ishte caktuar për ta gjuajtur, por pas pak ditësh vendosi që lojtari i përzgjedhur të ishte Zhorzhinjo. Nuk pati asnjë paqartësi, pra jo më krizë. Deri tani, trajneri i londinezëve ia ka dalë që problemet e brendshme të mos i nxjerrë në publik, ndërsa është përpjekur të tregohet i drejtë me lojtarët.

Të rinjtë kanë marrë një shans si Abraham, Tomori e të tjerë, por janë vlerësuar sepse janë stërvitur fort, siç ka ndodhur me Tomorin. Pulishiç u la fillimisht në stol, por tashmë është bërë i rëndësishëm. Të rinjtë e falenderojnë trajnerin për mundësinë, ndërsa të vjetrit e respektojnë për atë që ka bërë për Çelsin. Deri tani gjithçka ka ecur mirë dhe blutë po fitojnë. Ndoshta “dashuria e ashpër” e Lampardit mund të udhëheqë Çelsin drejt sukseseve.

Sfidanti.al