Siti “kopjon” veten ndaj Arsenalit, vret edhe më shumë konkurrencën

Nuk pritej aspak që Premier Liga të bëhej si Bundesliga. Për fat të keq të tifozëve të kampionatit më të fortë e më të ndjekur në botë, edhe në Angli ka dalë një “Bajern”, një “baloz i zi” që po shkatërron konkurrencën hap pas hapi dhe pa u ndalur. E bëri edhe më shumë me dërrmimin që i shkaktoi (sërish) Arsenalit, këtë herë në “Emirejts”, pra përsëri në Londër.

“Qytetarët” e Guardiolës nuk ishin aspak të lodhur edhe pse erdhën me tren nga Mançesteri për në kryeqytet, duke shënuar tre gola e duke fituar 3-0. “Davaja” përfundoi për 18 minuta, pasi Bernardo Silva zhbllokoi rezultatin në 15’, David Silva shënoi të dytin në 28’ dhe Leroi Sane fiksoi shifrat në 33’. Nuk ia vlen të theksohet se të tre golat erdhën pas aksioneve kolektivë të miqve.

Siti “kopjoi” veten pasi 3-0 fitoi edhe finalen e Kupës së Ligës ndaj të njëjtit kundërshtar, ndonëse iu desh të lodhej më shumë. Në “Uembli”, Arsenali luajti shumë mirë në pjesën e parë, ndërsa këtë herë nuk u duk fare që ishte në fushë, edhe pse Obamejang humbi një 11-metërsh në minutën e 53-të.

Skuadra e Guardiolës kryeson Premier Ligën me 75 pikë pas 28 ndeshjeve (duhen edhe 10 javë deri në fund), plot 16 pikë mbi Mançester Junajtidin e vendit të dytë. Siti, po ashtu, është skuadra që ka shënuar më shumë gola në kampionatet europiane, plot 82.

Sfidanti.al