Një kosh në periodën e dytë në ndeshjen në shtëpi ndaj Oklahomës i dha një status edhe më të shkëlqyer. Dirk Novicki kaloi kuotën e 31 000 pikëve në NBA, diçka që e kanë bërë vetëm 6 basketbollistë përpara tij. Ai u bashkua në shoqërinë ekskluzive me Xhabarin, Karl Malounin, Brajantin, Xhordanin dhe Çembërlenin, ndërsa shpejt me ta pritet të bashkohet Lebron Xhejms.
Novicki është padyshim europiani më i suksesshëm në historinë e ligës më të fortë të botës në këtë sport, ndërsa i duhen edhe 414 pikë për të kapur Uilti Çembërlenin. Këtë gjë, 39-vjeçari mund ta bëjë me lehtësi sezonin e ardhshëm, pasi pritet që ta vazhdojë karrierën, dhe ta bëjë me të njëjtën fanelë për të cilën luan tash 20 vjet, me atë të Dallasit.
Kjo arritje e madhe e Dirkut, sikur e la pak në hije humbjen e hidhur ndaj Oklahomës, me vetëm 1 pikë diferencë, dhe pas kohës shtesë, 110-111. Përballë Dallasit ishin yjet Rasëll Uestbruk, Pol Xhorxh e Karmelo Entoni, që nuk u përballuan dot deri në fund.
Gjithsesi, Novicki mbetet po ai luftëtar, si gjatë gjithë karrierës, si atëherë kur doli kampion i NBA-së në 2011. Jo më kot, dy ditë më parë ai hodhi poshtë mendimin e pronarit të klubit, Mark Kuban, i cili kishte deklaruar se “në këtë gjendje, është më mirë të humbasim sepse mund të marrim ndonjë lojtar të ri dhe të talentuar për sezonin e ardhshëm”.
“Nuk dua që në këtë klub të krijohet kultura e humbjes, – tha gjermani, – ne nuk mund të dorëzohemi dhe të mos luajmë fort deri në fund të edicionit, duke pranuar humbjet. Ne duhet të luftojmë dhe të konkurrojmë për të fituar, pavarësisht nëse ia dalim apo jo”.
Sfidanti.al