Las Palmas “aleat” i Atletikos, ç’po ndodh me Barçën e Valverdes?!

Lionel Mesi nuk mund të mjaftojë gjithnjë, pasi nuk është jashtëtokësor. Argjentinasi e realizoi golin e tij, madje shumë të bukur me goditje dënimi, por Barcelona barazoi papritur 1-1 në fushën e Las Palmasit, dhe për momentin “virtualisht” e rënë nga kategoria. Ky rezultat bëri që katalanasit të jenë vetëm 5 pikë larg Atletikos në renditjen e La Ligës, pikërisht skuadrës që e presin të dielën në “Kamp Nou”.

Shifrat dhe statistikat, sidoqoftë, nuk arrijnë ta tregojnë gjendjen e vërtetë të skuadrës së trajnerit Ernesto Valverde, që duket se po mendon më shumë sesa duhet për Championsin, apo ndoshta e kishte nënvleftësuar Las Palmasin. Pikërisht ekipi i vendit të 17-të i bëri “gjëmën”. Pyetja vjen natyrshëm se çfarë po ndodh me këtë skuadër ende të pathyer, por aspak bindëse në lojën e saj?!

Çfarë po ndodh me një ekip ku luajnë jo vetëm Mesi, Iniesta e Suarez, por edhe blerjet tepër të shtrenjta Kutinjo e Dembele? Nuk na e bën goja ta themi, por rreziku është që titulli kampion edhe të humbet, ndërsa në Champions me këtë lloj loje vështirë të shkosh larg.

Sfidanti.al