Roj Kin i ashpër edhe mikrofon: Liverpuli s’do të fitojë asnjë trofe!

Legjenda e Junajtidit dhe opinionisti aktual i futbollit, Roj Kin, mbas barazimit të fundit 2-2, në fushën e vet, të Liverpulit me Seviljen në Ligën e Kampioneve, e kritikoi hapur ekipin e “Enfildit”, duke vënë në dukje se “të kuqtë” që drejtohen nga trajneri gjerman, Jyrgen Klop, nuk do të fitojnë ndonjë trofe as edhe në këtë sezon.

“Futbollistët e Liverpulit e kanë të vështirë që të bëjnë ndonjë gjë të hajrit në fushë, sidomos në fazat finale, kur mezi krijojnë shanse për gol. Në këto kushte, Liverpuli duhet ta harrojë se mund ta fitojë Ligën e Kampioneve. Ky ekip edhe mund ta kalojë grupin, por në fazën elimimuese ai do të ketë përballë ekipe të tillë, si Reali i Madridit, Barcelona, etj., kështu që Liverpuli do ta ketë shumë të vështirë, që të mos them të pamundur”, tha ish-kapiteni i Junajtidit, rivalit më të madh të Liverpulit. Në fakt, para dy sezonesh, Liverpuli ishte fare pranë një trofeu ndërkombëtar, por humbi nga Sevilja 3-1 në finalen e Ligës së Evropës në Bazel.

Sfidanti.al