Krahasimi i pashmangshëm, Junajtid i Fergit apo Siti i Guardiolës?!

Në 1999, Mançester Junajtid fitoi “treble”-n, pra “treshen” Champions, Premier Ligë dhe Kupë të Anglisë, ndërsa udhëheqësi i tij legjendar, Sër Aleks Ferguson, bëri një koment. “Mançester Siti është një klub i vogël, me histori të vogël, dhe gjithçka që mund të bëjnë është të flasin për Junajtidin. Nuk do të shkëputen kurrë nga kjo”.

Ferguson bëri komentin sepse pikërisht në 2009, Siti u ble nga miliarderët e Gjirit Persik që dëshironin ta bënin të madh. Kanë kaluar 9 vjet, dhe ende blutë e Mançesterit nuk ia kanë dalë të krahasohen me të kuqtë, por sezoni në vazhdim sikur po i ndryshon gjërat.

A mund të quhet Siti i Guardiolës po aq i madh sa Junajtidi i 1999-ës i Fergit? Ende jo, por është afër. Junajtidi fitoi 3 tituj kampion radhazi, Siti sot po përpiqet të fitojë të parin me Pepin. Junajtidi fitoi Championsin, ndërsa Siti ende nuk është plotësisht në çerekfinale, Junajtidi fitoi Kupën e Anglisë, ndërsa Siti Kupën më të vogël, atë të Ligës.

Gjithsesi, Siti sot ka 4 pikë më pak sesa 79 që arriti Junajtid deri në fund të kampionatit, pra deri në fund mund t’ia kalojë ndjeshëm. Siti mund ta fitojë titullin që në 7 prill, në ndeshjen direkte ndaj Junajtidit, ndërsa “djajtë e kuq” të Fergusonit e fituan titullin në javën e fundit në 1999, madje me përmbysje rezultati ndaj Totenhemit. Siti ka shënuar 82 gola në ligë në 28 ndeshje, ndërsa Junajtid shënoi 80 në 38. Po ashtu, Siti ka një stil loje të shkëlqyer, edhe pse futbolli i Sër Aleksit ishte gjithashtu shumë i mirë.

Besohet se duhet të presim deri në maj, të paktën, për të bërë krahasimin.

Sfidanti.al