Junajtid nuk do ta braktisë “Old Trafordin” për asnjë arsye

“Ne nuk jemi në Londër ku mund të përdorim “Uemblin” përkohësisht”. Këto ishin fjalët e drejtorit të menaxhimit të Mançester Junajtidit, Riçard Arnold, ndërsa komentonte mundësinë e zgjerimit të stadiumit “Old Traford” në një të ardhme të afërt. Planet janë që kapaciteti i “Teatrit të Ëndrrave” të arrijë në 88 000 spektatorë nga 75 000 që është tani, duke zgjeruar tribunën e vetme që nuk është zmadhuar, “Sër Bobi Çarlton”.

Projekti paraqitet tepër i vështirë nga ana inxhinierike, pasi nuk ka shumë hapësirë për zgjerim, me linjën hekurudhore dhe shtëpitë shumë pranë tribunës, por Arnold thotë se Junajtid nuk ka ndërmend të lëvizë në ndonjë stadium tjetër, pavarësisht vështirësive dhe kohëzgjatjes së punimeve që mund të jetë nga 3 deri në 5 vjet.

“Ne kemi numrin më të madh të tifozëve në vendin tonë, dhe nuk duam t’i lemë ata në baltë, – vazhdoi Arnoldi, – nuk duam të humbasim avantazhin për t’i luajtur ndeshjet në shtëpi”. Nëse “Old Traford” zgjerohet në 88 000 spektatorë, ai do të ishte shumë pranë kapacitetit të “Uemblit” që është rreth 90 000.

Sfidanti.al