Përsëri Nejmar në faqe të parë; PSG kërkon vetëm para për të

Nuk ka ditë që në media të mos publikohet një lajm për Nejmar. Nëse një ditë më parë u fol për zhdukjen misterioze të kartës-video të intervistës së tij, këtë radhë tema është cështja e transferimit të tij te Barcelona. Tashmë dihet botërisht dëshira e brazilianit për t’u kthyer te katalanasit dhe Paris Sën Zhermeni është i ndërgjegjshëm për këtë, madje kampionët e Francës nuk do të bënin asnjë rezistencë nëse Barcelona do t’u kthente mbrapsht shifrën e 222 milionë Eurove që paguan për Nejmar në 2017.

Pikërisht ky është handikapi i madh në këtë histori, pasi Barcelona është shfaqur vërtet me një ofertë për Nejmar, por që për parizienët nuk është aspak e kënaqshme. Skuadra katalanase i ofroi Paris Sën Zhermenit 40 milionë /euro dhe kartonin e Kutinjos e Dembelesë, por transalpinët e refuzuan këtë ofertë në mënyrë kategorike.
Pengesat në këto tratativa mes dy klubeve janë të mëdha edhe për faktin se Barcelona sapo shpenzoi 120 milionë Euro për të marrë Grizman nga Atletiko madrid dhe shpenzimi i 222 milionëve do të ishte dicka e tepruar për këtë skuadër që ka një potencë të madhe ekonomike.

Gjithsesi, kampionët e Spanjës nuk dorëzohen ende, ndërkohë që edhe vetë Paris Sën Zhermeni është i interesuar që kjo histori të mbyllet sa më shpejt duke parë edhe disa sjellje të Nejmarit në fundin e sezonit që nuk u pëlqyen aspak nga bordi drejtues. Për momentin bisedimet mes Barcelonës dhe paris Sën Zhermenit po kryhen nëpërmjet ndërmjetësve, ato do të kalojnë në kanalet zyrtare kur diferenca mes kërkesës dhe ofertës të reduktohet.

sfidanti.al