Maradona i thur elozhe Maduros dhe fyen Trump; rrezikon skualifikimin

Kur bëhet fjalë për të shkaktuar polemika, Diego Armando Maradona është gjithnjë në vijën e parë. Trajneri i Dorados është bërë sërish protagonist me deklaratat e tij mëse të diskutueshme që i lëshoi javën e kaluar teksa sulmoi presidentin e SHBA, Donald Trump dhe politikën e tij aq sa shtyu Federatën Meksikane të Futbollit që të nisë hetimet ndaj tij.

‘Ia dedikoj fitoren Maduros dhe popullit venezuelian që janë gjunjëzuar nga politika imperialiste e yankees që janë të bindur që mund të kenë botën në dorë vetëm sepse kanë arsenalin më të fuqishëm-tha Maradona pasi skuadra e tij Dorados siguroi pjesëmarrjen në playoff dy ndeshje më herët-sot më shumë se kurrë jam pranë Maduro. Ai buratini Trump duhet të dijë që nuk na ngjall frikë.Populli venezuelian nuk do të thyhet nga tirania dhe politika e tij e terrorit’.

Nuk është hera e parë që Maradona bën komente kaq helmuese kundrejt politikës amerikane duke u shfaqur hapur pro qeverisë venezueliane, por këtë radhë ai rrezikon një skualifikim të rëndë. Kjo sepse sipas rregullores së re të Federatës, askush nga të federuarit nuk duhet të marrë një pozicion me karakter politik, racial apo diskriminues. Kjo shpjegon se përse qeveria e futbollit meksikan vendosi të hapë hetime për Maradonën që rrezikon të paguajë një gjobë të majme si dhe të mos jetë në pankinë në fazën e playoffit.

sfidanti.al