Pesë fitore radhazi jashtë, por Barcelona cilësohet ekip pa jetë!

Të kuptohemi, pati dy komente të ndryshme pas suksesit të katalanasve në fushën e Elçes. Mediat barceloniste theksuan faktin se skuadra e trajnerit Ronald Kuman bëri detyrën duke arritur fitoren e pestë radhazi jashtë fushe, duke mbërritur në podiumin e La Ligës e duke ia dalë pa Lionel Mesin. Frenki De Jong ishte autor i golit të parë, ndërsa holandezi shërbeu topin për golin e dytë shënuar nga Riki Puixh në sekondat e fundit.

Tjetër koment nga Madridi, ku gazeta “As” titullon se “Barcelona pati më shumë efektivitet sesa shkëlqim”, ndërsa në një koment të saj shkruhej se “Barça është një ekip pa jetë”. Edhe e përditshmja tjetër madrilene, “Marka” theksoi se “fitorja ishte e lehtë, por pa shkëlqim”. Kjo media vlerësoi Frenki De Jongun duke shkruar se “ky është niveli i një lojtari, kartoni i të cilit u mor për 75 milionë euro”. Trajneri Kuman ishte i hidhëruar për gabimin e mbrojtësve të tij që thuajse i dhanë golin e barazimit Elçes. “Për fat patëm Ter Shtegenin, – tha holandezi, – ndryshe do të kishim pësuar golin e barazimit për fajin tonë”.

Sfidanti.al