Nuk mundet që të fitosh gjithnjë në fund. Vllaznia po quhej ekipi gjerman i Superligës shqiptare pas sukseseve dramatike ndaj Tiranës, Partizanit apo Bylisit, por kur e lë suksesin për në sekondat përmbyllëse edhe mund të dështosh. Ja ku i ndodhi për herë të parë këtë sezon, madje në shtëpi, në një hap të gabuar ndaj Kastriotit.
U mbyll 0-0 në “Loro Boriçi” me të besuarit e trajnerit Tomas Brdariç që nuk mundën të krijonin raste të pastër, e nuk patën frymëzimin për të thyer rezistencën e fortë të krutanëve. Një gabim që nuk ia prek kryesimin kuqebluve, por që u jep mundësi rivalëve si Partizani apo Teuta që të afrohen në 7 pikë në rast fitoreje. Edhe pse Vllaznia ushtroi presion gjatë gjithë kohës, Kastrioti la përshtypje shumë të mirë me lojën e tij të organizuar në mbrojtje dhe agresive. Ndonjëherë edhe u teprua dhe miqtë e mbyllën ndeshjen me 10 vetë.
Përse shkodranët këto javë nuk po bindin ashtu si më parë? Padyshim që, si çdo ekip futbolli, edhe ata alternojnë momentet pozitive dhe më pak të tilla, ndërsa ndeshjet në shtëpi ndonjëherë bëhen më të vështira edhe për shkak të mungesës së publikut. Të dyja skuadrat kërkuan penallti, një herë Kastrioti dhe dy herë Vllaznia, por gjyqtari Kridens Meta nuk akordoi asnjë. Ndoshta, vendasit ishin me fat sepse ajo për krutanët me gjasë duhej të jepej.
Në ndeshjet e tjera të luajtura këtë të diel, Kukësi fitoi ndaj Bylisit, ndërsa Apolonia barazoi në Korçë ndaj Skënderbeut. Kuksianët u detyruan të reagonin pasi pësuan gol nga Stojanoviç, duke realizuar me anë të Agim Ibraimit dhe sulmuesit nigerian, Eze. Në renditje, Vllaznia kryeson me 36 pikë ndaj 26 të Partizanit e Teutës, ndërsa Kukësi është i katërti me 23 pikë.
Sfidanti.al