Valsi i trajnerëve në Serinë A, çfarë mendojnë Pioli, Konte e Gasperini?!

Tekniku milanist duhet të ndihet i shqetësuar pas katastrofës së pësuar në “San Siro”. Ishte e dyta humbja bindshëm e Milanit të tij në fushën e vet dhe disfata 1-3 ndaj Juventusit u pasua nga ajo 0-3 me Atalantën. “Nuk jam i shqetësuar, – kundërshtoi Pioli, – në fushë nuk ishte vetëm Atalanta. Për 60 minuta ishim në ndeshje, patëm rastet tona, por nuk gjetëm golin. E vërtetë që pasi pësuam golin e dytë e patëm shumë më të vështirë. Nuk ishte ndeshja jonë më e mirë nga ana cilësore, dhe nëse ndodh kjo atëherë rrezikon të dështosh, sidomos ndaj skuadrave të forta”.

Sa për Atalantën, ky ishte një konfirmim, dhe surpriza e dy sezoneve të fundit është sërish në zonën Champions. “Kjo ishte një ndeshje që shkoi përtej parashikimeve dhe shpresave tona më të mira, – deklaroi trajneri Gasperini, – e dinim se mund të bënim një ndeshje të madhe dhe donim që ta bënim. Ne jemi të fortë dhe mund të arrijmë fitore të tilla, por gjithsesi kjo ishte përtej çdo pritshmërie. Tashmë, duhet të kemi vazhdimësi për të mbetur në grupin e skuadrave më të forta, Juve, Napoli, Roma, Lacio e të tjera”.

Gjithsesi, ishte Interi që e ndihmoi këtë herë Milanin për të mbajtur kreun. Një ndeshje që duhej fituar në fushën e Udineze nuk u arrit të fitohej, dhe zikaltërit mbetën 2 pikë prapa sërish në vend të dytë.  Nuk munguan rastet, por sërish në fushë nuk u duk Interi në maksimumin e tij, siç ndodhi ndaj Juventusit.

“Ishte një ndeshje shumë e ashpër fizike, – deklaroi trajneri zikaltër, – e dinim se do të kishim përballë një Udineze që do të mbrohej fort, që ka pësuar pak gola. Ishim ne që e luajtëm ndeshjen, por mund të kishim qenë më të saktë para portës. Në sfida të tilla është shumë e rëndësishme të bësh gol, sepse atëherë gjërat ndryshojnë. Objektivi ynë mbetet titulli, por duhet ende që të përmirësohemi, sidomos në pasimin e fundit. Gjithsesi, tani të mendojmë për derbin e Kupës me Milanin”. Pas 17 javëve, Milani kryeson Serinë A me 43 pikë, ndërsa Interi ka 41.

Sfidanti.al