Gatuzos s’i trembet syri: Llafe pazari, objektiv vetëm Championsi

Kritikat pas Arsenalit, ai i quan “llafe pazari”. Xhenaro Gatuzo në përgjithësi është i sjellshëm në versionin e trajnerit, por aspak “guak” dhe di t’ia tregojë vendin kujtdo që mendon se e meriton. Teknikut të Milanit nuk i pëlqyen “shigjetat” për humbjen në Ligën e Europës dhe gjeti rast për t’u përgjigjur pas fitores në Gjenovë ndaj Xhenoas.

“Këto janë llafe pazari, – tha ai, – objektivi ynë mbetet vetëm Champions, dhe mund ta arrijmë, ndonëse duhet të shohim vetëm ndeshje pas ndeshjeje”. Diferenca me Interin e Lacion është më e vogël dhe në 10 apo 11 ndeshje që mbeten, gjithçka mund të ndodhë.

Suksesi në “Marasi” ishte tepër i vështirë, vetëm 1-0 me gol të shënuar në minutën e fundit nga Andre Silva. Andre Silva? Po, po, dhe kjo do të thotë se ai ka shënuar golin e parë për Milanin. Tifozët bënë gallatë në rrjetet sociale duke shkruar se “mirë që kemi Andre Silvën” (deri dje e shanin), ndërsa Gatuzo e lavdëroi sulmuesin: “Jam i kënaqur që më në fund u zhbllokua, nuk është e lehtë të veshësh këtë fanelë, sidomos kur je i ri”.

Një tjetër batutë e trajnerit milanist ishte për zërin e ngjirur. “I shkreti gjyqtar i katërt ç’ka dëgjuar prej meje, – tha edhe duke qeshur, edhe i penduar, – në fund, nuk u përmbajta dot pas golit”. Milani është në vend të 6-të në Serinë A, me 47 pikë, ndërsa Interi ka 52 e Lacio 53.

Sfidanti.al