Arbitrat si ekzekutorët e gijotinës, jemi të egër edhe në futboll

Historitë e Ali Pashës i njohim mirë, sesi hakmarrja vlente qindra jetë, po ashtu edhe “bëmat” e sunduesve radhazi të këtij vendi. Sot, të paktën ne që ndjekim lojën e topit, po njohim mirë sesa vlen hakmarrja në futbollin shqiptar. Kemi shkruar shumë për masakrën që po i bëhet Flamurtarit, veçse kjo është një “telenovelë e zezë”, seritë e së cilës nuk kanë të mbaruar.

Seria më e rëndë, ajo të cilën fëmijët nuk duhej ta shihnin as në prani të prindërve, ishte ndeshja Laçi-Flamurtari, ku pati 6 vendime të gabuara të kryesorit Kridens Meta dhe të anësorit Ergin Doda, dhe që të gjashta kundër vlonjatëve e në favor të kurbinasve. Gol në pozicion jashtë loje për vendasit, penallti qesharake po për ata, 11-metërsh “dinjitoz” të padhënë për Flamurtarin, dhe 3 ndërhyrje për kartona të lojtarëve të Laçit që nuk i kapi syri i arbitrave.

Vërtet mund të arrihet deri këtu? Të mos habitemi, pasi jemi në Shqipëri, dhe e dimë se çfarë kanë qenë në gjendje të bëjnë “sundimtarët” e këtij vendi. Jo vetëm kaq, por jemi në Ballkan, mjafton të kujtojmë sesi presidenti i PAOK-ut hyri në fushë këtë të diel, për të protestuar, me pistoletë në brez, apo sesi gjatë luftës civile (1944-1949), kundërshtarëve u shkurtohej koka, e u vendosej në një hu për t’ua treguar popullatës.

“Jemi në Ballkan, dhe këto janë zakone të lashta lufte”, – thoshin grekët. Edhe arbitrat dhe presidentët që i dirigjojnë do të thoshin: “Jemi në Shqipëri dhe këto janë zakone të lashta futbolli”.

Sfidanti.al