Gatuzo e ndjen veten para Vengerit, si nxënësi para mësuesit

Arsen Venger nuk është se po merr shumë komplimente këto kohë (me të vërtetë, a po merr ndonjë?!), por një kënaqësi i vjen nga Xhenaro Gatuzo. Kundërshtari i radhës, trajneri i Milanit, gjykon se ka një diferencë të madhe mes tij dhe francezit veteran. “Në krahasim me të, unë jam ende në skuadrën e fëmijëve”, – ishin fjalët vlerësuese të Gatuzos.

Milani do të presë sonte Arsenalin, në të të tetat e finaleve të Ligës së Europës, përballje vërtet interesante që luhet në orën 19:00 në “San Siro” dhe Gatuzo ka këtë përshkrim. “Nuk do të jetë një sfidë ndaj Vengerit, sepse në këtë aspekt, nuk ka kuptim, – u shpreh 40-vjeçari, – ai ka fituar shumë trofe në karrierë, ndërsa drejton ekipin e tij prej 21 apo 22 vitesh. Do të jetë një përballje interesante mes dy skuadrave, mes filozofisë sime dhe përvojës së Vengerit”.

Gatuzo ka vetëm 19 ndeshje në drejtim të Milanit, me kuqezinjtë që janë të pathyer në 12 takime radhazi, në kontrast të thellë me Arsenalin që ka humbur 4 sfidat e fundit në të gjithë konkurrimet. Venger është nën presion që të dorëhiqet, ose që të mund të largohet në fund të sezonit, me shpresën e vetme për t’u kualifikuar në Champions, nëpërmjet fitores së Ligës së Europës.

Sfidanti.al