Euro 2020, në dhjetor dalin në shitje 1 milion bileta

Një milion bileta të euro 2020 do të dalin në shitje për tifozët në muajin dhjetor. Lajmi u konfirmua nga vetë UEFA gjatë një konference për shtyp të mbajtur përpara hedhjes së shortit të skuadrave pjesëmarrëse të këtij kompeticioni që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në 12 qytete të Kontinentit të Vjetër.

Pavarësisht disa kritikave për formulën e Euro 2020, UEFA thekson se ka pasur një kërkesë të madhe për biletat, faza e parë e shitjes së të cilave ishte në periudhën qershor-korrik dhe ku regjistruan 19.3 milionë kërkesa për 1.5 milionë bileta në shitje, ndërkohë që në total do të dalin në shitje 3 milionë bileta.

Në fazën e fundit, biletat do të shiten te tifozët e 20 skuadrave që janë kualifikuar, proces që do të nisë në 4 dhjetor në orën 14 dhe që do të zgjasë deri në 18 dhjetor, ndërkohë që Evropiani i 2020 do të nisë në Romë në 12 qershor dhe do të mbyllet në Londër në 12 korrik.

sfidanti.al