ECA paralajmëroi për bojkot; por FIFA miraton formatin e ri të Botërorit të Klubeve

Federata Ndërkombëtare e Futbollit miratoi formatin e ri të Botërorit të Klubeve, pavarësisht kërkesës së Shoqatës së Klubeve Evropiane për shtyrjen e këtij vendimi dhe kërcënimit me bojkot të kompeticionit. Këshilli i këtij institucioni vendosi të ndryshojë përfundimisht evenimentin që do të nisë të aplikohet që nga viti 2021 dhe ku do të marrin pjesë 24 klube. Botërori i ri i Klubeve parashikohet të zhvillohet cdo 4 vjet dhe do të zëvendësojë Kupën e Konfederatave

‘Jam shumë i lumtur që Këshilli mori vendimin për një Botëror të ri Klubesh që do të nisë të zhvillohet nga viti 2021-tha presidenti i FIFA, Xhani Infantino në një konferencë për shtyp pas përfundimit të mbledhjes së mbajtur në Miami- Mendoj se nga 17 qershori deri në 4 korrik të 2021, bota do të shohë një Botëror të vërtetë Klubesh, eveniment ku do të përballen skuadrat më të mira për të fituar kurorën e kampiones së botës’

Por në Këshilli i FIFA mori edhe vendime të tjera. Kështu qeveria e futbollit botëror propozoi shtimin e numrit të skuadrave pjesëmarrëse në Botërorin e vitit 2022 nga 32 në 48 skuadra, propozim për të cilin do të merret një vendim përfundimtar në 6 qershor në Paris. Po kështu në mbledhjen e Këshillit të FIFA u miratua përdorimi i sistemit VAR në Botërorin e Futbollit të Femrave që do të zhvillohet në Francë në verën e 2019.

sfidanti.al