“Sex and the City”? Jo, tani thuhet “Pep and the City”

Telenovela e famshme amerikane ishte “Seksi dhe qyteti”, por një telenovelë e re ka nisur të pëlqehet më shumë dhe me emër të ngjashëm. “Pep and the City”, “Pepi dhe Qyteti”. Pepi është Guardiola, ndërsa qyteti në këtë rast janë “qytetarët”, pra Mançester Siti. Fillimi i serialit ishte tepër i lumtur, me ish-trajnerin e Barcelonës dhe Bajernit që marshoi me furi si një tren ekspres, duke shkelur me këmbë Premier Ligën.

Prej disa javësh nuk është më kështu. Ndalesa në kampionat, katastrofë 0-4 në “Kamp Nou” dhe eleminim nga Mançester Junajtid në Kupën e Ligës. Pep nuk fiton prej 6 ndeshjesh, seria e tij më e gjatë negative, pra seriali “Pep and the City” po kalon momente dramatike. Mos vallë në seritë e ardhshme duhet të shohim që të “pritet koka” e Guardiolës?

Në asnjë mënyrë, krejt tjetër gjë. Si një parashikues fati vjen Sër Aleks Ferguson, që nuk mund të mungonte si personazh në këtë histori fantastike angleze, me aktorë të tjerë të mëdhenj si Murinjo, Klop, Venger apo Konte. Skocezi që fitoi më shumë se kushdo trajner tjetër në histori vlerëson se “Mançester Siti (pra Pep) është favorit për të fituar titullin kampion”.

Në radhë është përballja ndaj Uest Bromit, një mundësi për të bërë kthesë, dhe që telenovela e madhe e futbollit europian të marrë sërish një kthesë nga e mbara.

B. Kuka