Rumenige tregon sesi tifozët thuajse e lanë Bajernin pa Nojerin!

Ishte ndoshta pranvera e vitit 2011, pra ka kaluar shumë kohë, por për Karl-Hajnc Rumenigen asgjë nuk harrohet. Shefi ekzekutiv i Bajernit rrëfen sot për mediat e Gjermanisë sesi ishte në bisedime me Manuel Nojerin e Shalkes, por sesi tifozët bavarezë përpak ia shkatërruan planet për ta marrë në Mynih.

“Si parim, nuk kam asgjë kundër ndikimit të tifozëve në klub, – thotë legjenda e Bajernit, – madje nuk shqetësohem as kur dalin parulla në tribunën e jugut, në kohë të vështira dhe pakënaqësie. Gjithsesi, ka raste kur kalohet limiti dhe etika, duke shkuar tek ofendimet”. Një rast i tillë ishte kur Bajerni luajti ndaj Shalkes, dhe në portën e saj ishte Manuel Nojeri. Disa tifozë nxorrën një parullë tepër ofenduese kundër portierit, që në atë kohë ishte 25 vjeç.

Pas sfidës, Rumenige e quajti për detyrë që të shkonte tek drejtuesit e Shalkes dhe t’u kërkonte falje në emër të klubit. Ai shkoi edhe tek Nojeri, duke i kërkuar gjithashtu falje. “Ai, – kujton “Kalle”, – ishte shumë racional dhe shumë serioz”. “Unë kam vetëm një pyetje, – i kërkoi Nojeri, Rumeniges, – a qendroni ju dhe zoti Hënes pas lajmeve për transferimin tim tek Bajerni”. “Po, 100 për qind”, – ishte përgjigja e bavarezit. “Atëherë gjithçka është në rregull, unë do të vij tek ju, dhe nuk do t’ua harroj kurrë”, – e mbylli bisedën Nojeri, që në sezonin e ardhshëm veshi fanelën e Bajernit.

Sfidanti.al