Gjokoviç, kur finalet Grand Slem fitohen ndaj legjendave!

Ka një statistikë në karrierën e Novak Gjokoviçit që tregon se përse është numri 1 i botës, dhe përse ka shans që të kalojë Federerin apo Nadalin për t’u bërë tenisti më i mirë për të gjitha kohët. Kampioni nga Beogradi ka 16 tituj Grand Slem, dhe shumicën e finaleve i ka luajtur ndaj më të fortëve. Katër herë ka fituar ndaj Federerit, 4 herë ndaj Nadalit, 5 herë kundër Andi Marrejt, dhe nga një finale me Congën, Del Potros dhe Andersonit.

Në janar 2008, në gjysmëfinale të Australian Openit, mundi 3-0 me sete Rozher Federerin, po ashtu në 2011 (sërish Australian Open) serbi mundi 3-0 Federerin në finale. Në korrik 2011, në Uimbëlldon mundi 3-1 Nadalin, në shtator në US Open mundi në finale përsëri Nadalin 3-1, ndërsa në gjysmëfinale pati një betejë të madhe me Federerin, që pati dy pikë për të mbyllur ndeshjen në setin e pestë.

Në 29 janar 2012, Nole fiton Australian Openin për herë të tretë, dhe luan finalen më të gjatë në histori në Grand Sleme, atë ndaj Nadalit, fituar 3-2 (5-7, 6-4, 6-2, 6-7, 7-5) pas 5 orësh e 53 minutash. Në janar 2013, në Australian Open ka një betejë në çerekfinale me Vavrinkën, fituar 3-2 me setin e pestë që u mbyll 12-10. Në korrik 2014, në Uimbëlldon fiton një finale të madhe ndaj Federerit, po 3-2, dhe me zviceranin që pati një top për të fituar ndeshjen në setin e pestë.

Ndër sukseset e Gjokoviçit mund të veçohet ai në Australian Open në janar 2019, pra këtë vit, kur fitoi titullin e 7-të dhe rekord, në një finale të përsosur ndaj Nadalit, fituar 3-0 (6-3, 6-2, 6-3). Jo më kot, tenisti serb ka bilanc pozitiv me të gjithë rivalët e tij të mëdhenj.

Sfidanti.al