Kutinjo apo Myler? Roben: Jam tifoz i madh i Tomasit!

Nëse kishte nevojë për një mbështetje, ajo i erdhi, madje nga një emër i rëndësishëm. Arjen Roben doli në mbrojtje të Tomas Mylerit, pas spekullimeve se koha e tij tek Bajerni ka marrë fund me ardhjen e Filip Kutinjos. Kjo përshtypje u shtua kur, në minutën e 57-të të ndeshjes ndaj Shalkes, Kutinjo zëvendësoi pikërisht Mylerin, por holandezi e sheh situatën ndryshe.

“Ai (Myleri) është një lojtar shumë i rëndësishëm sipas mendimit tim, – u shpreh Robeni për “Skajin”, – jam tifoz i madh i Tomas Mylerit. Ndoshta, ai mund të mos bjerë gjithnjë në sy, por ai krijon hapësira. Ai luan në thellësi të mbrojtjes kundërshtare, është i vështirë për t’u mbuluar, dhe vlen shumë ndaj ekipeve që mbrohen me shumë forca”. Për Robenin, Myleri duhet të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm në listën e trajnerit Niko Kovaç.

Po Kutinjo? “Është lojtar me potencial të madh dhe do të luajë shumë ndeshje për Bajernin, por duhet t’i japim kohën e duhur që të përshtatet dhe të tregojë veten”, – ishte komenti i Arjen Robenit.

Sfidanti.al