Sa dëm rregulli i ri në Premier, mjafton të shikoni Totenhemin

Barazimi në fushën e Sitit krijoi entuziazëm, por mjaftoi vetëm të kalonte një javë për të zgjuar dyshimet e vjetra. Është apo jo Totenhemi pretendent për titull? Përgjigja më e lehtë do të ishte “JO”, pas humbjes në “Uajt Hart Lejn” ndaj Njukasëllit, ndonëse trajneri Maurisio Poçetino publikisht thotë të kundërtën. Për ta bërë edhe më të vështirë sfidën për “gjelat” e Londrës, ka menduar rregulli i ri i votuar vjet dhe i zbatuar sivjet, për të mbyllur shpejt “dritaren” e transferimeve.

Kjo do të thotë se që me nisjen e Premier Ligës, klubet angleze nuk mund të marrin lojtar, por ama mund t’i humbasin. Ky është edhe halli i Totenhemit, pasi Kristian Eriksen kërkohet nga klube të mëdhenj në Europë (Reali mbi të gjithë), ndaj edhe trajneri e la në stol ndaj Njukasëllit. Veprimi ishte normal, pasi danezi nuk dëshiron kontratë të re, dhe vitin tjetër mund të largohet me zero euro, por mungesa e tij krijoi probleme në fushë. Totenhemi nuk pati fantazi në mesfushë pa të. Si i bëhet nëse, deri në 2 shtator, Erikseni ikën, ndërsa Poçetino nuk ka me kë e zëvendëson?

Sfidanti.al