“Gjëagjëza” e Bajernit: Ta marrim Pavarin tani, apo në verë?!

Benzhamen Pavar (Benjamin Pavard) është një “aset” që kush nuk do ta dëshironte në skuadrën e tij. Kampioni i botës me Francën mbetet tek Shtutgarti, por në Mynih po bëjnë një llogari për ta marrë, herët apo vonë. Verën e kaluar u njoftua se Bajerni do ta bënte të vetin mbrojtësin për 35 milionë euro, veçse kjo do të ndodhte në verën e vitit 2019.

Gazeta “Bild” ka dyshime se diçka po ndryshon, ndonëse trajneri i kampionëve, Niko Kovaç, preu shkurt se “nuk ka kuptim që ta marrim Pavarin tani”. A po thotë të vërtetën tekniku kroat?

Po, nëse bazohemi tek logjika e tij. “Ne kemi tre qendërmbrojtësa (Boatengun, Humelsin, Zylen), dhe nuk ka kuptim të shtojmë një të katërt, një të pestë apo një të gjashtë, – tha ai, – Pavar është një lojtar i shkëlqyer, por për momentin jemi në rregull”.

Përgjigja e “Bildit” është “jo” duke u bazuar tek logjika e disa fakteve të tjera. Pavar di të luajë jo vetëm qendërmbrojtës, por edhe mbrojtës i djathtë dhe bavarezët në atë pozicion kanë vetëm Rafinjën 33-vjeçar, pasi Xhoshua Kimih është vendosur në rolin e mesfushorit mbrojtës.

Sfidanti.al