U ngjit në vend të katërt dhe nuk ka ndërmend të ndalet. Greg Popoviç është një nga trajnerët me më shumë fitore në NBA, ndërsa kaloi legjendën Pat Rajli. Skuadra e tij, San Antonio Spërs, triumfoi thellësisht (111-86) me Feniksin dhe Popoviçi arriti fitoren numër 1 211 në karrierë. Rajli ka 1 210. Nuk do të jetë e vështirë të kapet podium, pasi Xherri Sloun ka vetëm 10 fitore më shumë sesa ai, ndërsa dy vendet e para janë paksa më larg.
Don Nelson, numri 1 i sukseseve, është me 1 335 triumfe, që do të thotë 124 më shumë sesa Popoviçi. Pyetja është nëse legjenda e San Antonios do të arrijë tek Nelsoni apo jo?
Nuk do të jetë aspak e lehtë për shkak të moshës së tij. Popoviç është 69 vjeç dhe skuadra e tanishme e Spërsave është tepër larg asaj të famshme të Tim Dankënit, Toni Parkerit e Manu Xhinobilit. Me ritmin e sotëm mund t’i duhen të paktën 3 vjet. Gjithsesi, ai ka diçka për t’u mburrur, pasi është 5 herë kampion i NBA-së, ndërsa ata që janë mbi të, nuk kanë fituar asnjë titull.
Renditja: Don Nelson 1 335 fitore, Leni Uilkens 1332, Xherri Sloun 1 221, Greg Popoviç 1 211, Pat Rajli 1 210.
Sfidanti.al