Bajerni, trajneri Hajnkes kthehet nga gripi, por me dhimbje koke!

Nga dhimbja e kokës, tek dhimbja e kokës, dhe sërish tek dhimbja e kokës. Jup Hajnkes, trajneri i Bajernit kishte shqetësime javët e kaluar për mungesat në skuadër për shkak të dëmtimeve, këto ditë pati shqetësime nga gripi, ndërsa tani që u kthye në stërvitje, ka shqetësime të një lloji tjetër, ato që të gjithë lojtarët i ka në dispozicion.

Me një kokore, me xhaketën e trashë, tutat e ngrohta dhe këpucët e mbërthyera mirë mbi çorapet e dimrit, Hajnkes përballoi temperaturën -3 gradë Celsius, ndërsa u duk i lodhur dhe i menduar. Problem është sidomos në mesfushë ku 7 lojtarë janë kandidatë për vetëm 3 vende në formacion.

Kthimi i Tiago Alkantarës e ka “përkeqësuar” gjendjen, ndërsa i vetmi “lehtësim” është pezullimi i Arturo Vidalit, që nuk do të luajë dot ndaj Volfsburgut. Tiago, Havi Martinez, Hames Rodrigez, Tomas Myler, Sebastian Rudi dhe Korenten Toliso janë kandidatët e tjerë, gjithsecili pretendent i fortë për të luajtur. Gjithsesi, një trajner me përvojë si 72-vjeçari Hajnkes, do të donte më shumë të kishte dhimbje të tilla koke, sesa si ato të mëparshmet.

Sfidanti.al