Bajerni, Salihamixhiçi si shumë po e provokon Hansi Flikun!

Shumë vjet më parë, madje flitet për dekada, një trajner i Bajernit lëshoi një batutë që mbeti legjendare. Ishte Udo Lateku, strategu i viteve 80-të, që iu kthye ashpër menaxherit të përgjithshëm të asaj kohe, Uli Hënesit, duke i thënë: “Uli, largohu nga fusha, shkon në zyrë dhe numëro paratë”! Mesazhi ishte i qartë, pra që trajneri ka autonomi në punën e tij dhe nuk mund t’i ndërhyhet.

Përse kjo parashtesë? Gazetari i famshëm gjerman, Raimund Hinko, njofton se tek Bajerni sot po ndërhyhet tek puna e trajnerit, dhe konkretisht nga drejtori sportiv, Hasan Salihamixhiç, që deklaroi që nga Katari se “unë jam mbikqyrës i trajnerit”. Nuk dihet se cila ka qenë përgjigja e teknikut Hansi Flik, por është e sigurt se po të kishin qenë Jup Hajnkesi, Luis Van Gali apo Pep Guardiola, do të kishte pasur “gurgule”.

Hinko, gazetar që e ndjek Bajernin prej dekadash, thotë se Salihamixhiçi nuk po e bën siç duhet punën e tij, pasi skuadra mbetet “e hollë”, diçka që Fliku e ka theksuar. Dëmtimi edhe i Gnabrisë dhe Komanit ka sjellë probleme në sulm, në lojën në krahë, dhe Hinko bën me shaka një letër të hapur për Arjen Robenin, duke e ftuar “holandezin fluturues” që të kthehet tek Bajerni, edhe pse ka shumë muaj që është tërhequr nga futbolli. “I dashur Arjen, vish këpucët me thumba dhe bëje me vrap distancën 13 kilometra nga shtëpia jote te kompleksi i Bajernit”, – shkruan Hinko.

Sfidanti.al