I lejohet të ndezë një cigare, edhe pse luan futboll. Një kampioni si Xhanluixhi Bufon, i lejohet edhe më shumë. Njëri nga portierët më të mëdhenj që ka pasur ndonjëherë historia do të arrijë një moment kulmor pikërisht në ndeshjen ndaj Shqipërisë.
Në moshën 39-vjeçare do të luajë të premten ndeshjen numër 1 000 në karrierën e tij të lavdishme. I takoi pikërisht kombëtares shqiptare, drejtuar nga një italian, që portieri i të kaltërve ta mbushë mijëshen.
Karriera e tij prej 22 sezonesh nisin në 1995 kur debutoi për Parmën, në një duel kundër Milanit të madh në Serinë A. Fanelën e përfaqësueses, Xhixhi e veshi në të gjitha nivelet, që nga U15-ta deri tek U23. Debutimin me të kaltrit e bëri në të ftohtin e Moskës, në 29 tetor 1997, kur trajneri Çezare Maldini e aktivizoi në përballjen e Botërorit Rusi-Itali.
Suksesi më i madh me kombëtaren u arrit në Kupën e Botës të vitit 2006. Pasi ndihmoi në gjysmëfinalen ndaj Gjermanisë vendase, Bufon u shpall kampion i botës në finalen e madhe ndaj Francës së Zidanit. Në 22 vite me dorezat e portierit, Bufon ka fituar 18 trofe të mëdhenj, mes të cilëve 7 tituj kampion me Juventusin, por edhe disa kupa me ekipin e tij të parë, Parmën.
E vetmja gjë që i ka mbetur pa arritur është Liga e Kampionëve, pasi është mundur dy herë në finalet ndaj Milanit e Barcelonës. Me Italinë, Xhanluixhi Bufon ka luajtur 167 ndeshje, duke qenë lojtari rekordmen europian.