Xhakomo Vrioni në gjurmët e Halandit dhe Adejemit, ku do jetë e ardhmja e shqiptarit?!

Për një të tillë thuhet se është i nënvleftësuar. Nuk ka sesi të jetë ndryshe kur një sulmues si Xhakomo Vrioni shënon 17 gola në Bundesligën austriake dhe nuk përmendet aq sa e meriton. Futbollisti i kombëtares shqiptare realizoi edhe në ndeshjen e djeshme të Tirolit ndaj Altahut, duke mbetur vetëm 2 rrjeta larg shënuesit më të mirë të sezonit, Karim Adejemit të Salcburgut. Nëse Adejemi fitoi Këpucën e Artë, Vrioni mori Këpucën e Argjendtë, ndërsa Juventusi po bën planet e tij. Kartoni i shqiptarit është në pronësi të klubit të madh italian, që pritet ta ketë në skuadër gjatë verës për të vendosur më pas se çfarë do të bëjë me të.

Trajneri i Tirolit, Tomas Zilberberger, pohon pas ndeshjes së fundit se “Vrioni do të largohet nga ne, nuk mund ta mbajmë edhe sepse është në huazim”. Nuk dihet nëse Juventusi do të provojë ta ketë 23-vjeçarin në ekip sezonin e ardhëm apo t’ia shesë kartonin në një moment shumë të favorshëm. Nga ekipi bardhezi largohen Dibala e me gjasë edhe Morata, por mbeten Vlahoviç dhe Kean, si dhe mund të ketë përforcime të tjera, gjë që ia ul Vrionit mundësinë për të veshur fanelën bardhezi. Gjithsesi, ai mund të kthehet në Serinë A, në një ekip tjetër ndërsa këtë sezon në Bundesligën austriake pati 17 gola e 2 asistë, që do të thotë vetëm 1 gol prapa rekordit shqiptar në këtë ligë vendosur 11 vjet më parë nga Hamdi Salihi. Vrioni po shkëlqen pikërisht në atë kampionat ku nisi karriera e Erling Halandit dhe tani e Karim Adejemit që ka kaluar tek Dortmundi.

Sfidanti.al