Volejbolli shqiptar, turne për nder të legjendës Vangjel Koja!

Ka qenë dhe mbetet ajka e sportit ndoshta më elitar shqiptar. Vangjel Koja, sot më shumë se 89 vjeç, është padyshim legjenda e gjallë e volejbollit shqiptar, dhe për nder të tij, u organizua një turne në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Në arenën ku Dinamoja e Kojës arriti triumfe europiane për mbi çerek shekulli, duke arritur deri në finalen e Kupës së Kampionëve në 1972, katër ekipe të rinjsh konkurruan për trofeun me emrin e tij. Ishin Farka Volej, Elbasani, Akademia Barleti dhe Partizani, ndërsa organizimi ishte ide dhe punë e Barletit. Pas dy gjysmëfinaleve, ku më e forta ishte ajo mes Farkës dhe Barletit, u luajt finalja për trofe. Farka u tregua më e fortë se Elbasani duke fituar 2-0 me sete.  Vetë Koja, apo “Xhela” siç e njohin tifozët e volejbollit, ishte i pranishëm pavarësisht problemeve me shëndetin që pati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai u shpreh i lumtur. “Nuk ma merrte mendja se do të bëhej kjo gjë për mua në Shqipëri, – tha Xhela, – një aktivitet shumë i mirë. Të paktën po punohet që volejbolli të mos vdesë. Nuk është se kemi ende shumë cilësi, por ka më shumë masivitet. Në kohën tonë ishim më afër Europës, por shpresojmë të afrohemi përsëri”. Drejtuesi i Akademisë Barleti, Ferdinand Fushëza, njeriu që organizoi turneun, u ndje krenar. “Vangjel Koja është legjendë e volejbollit shqiptar ndaj ne menduam që ta organizonim këtë turne për nder të tij”, – tha ai. Në përfundim, skuadrat dolën në fotografi me Kojën, njeriun që si lojtar dhe trajner fitoi 90 trofe në karrierë dhe luajti 100 ndeshje ndërkombëtare.

Sfidanti.al