Juventusi kërkon 10 milionë euro për Xhakomo Vrionin, por Sampi e do në huazim!

As edhe ata që e kanë të vetin nuk e prisnin këtë. Xhakomo Vrioni dihej që ishte një sulmues i mirë, por jo i tillë që të shkëlqente mbi gjithë të tjerët, dhe tani Juventusi ka vendosur të përfitojë prej tij. Mediat italiane njoftojnë se “Zonja e Vjetër” ka vendosur çmimin bazë të kartonit të lojtarit të kombëtares shqiptare, që është 10 milionë euro. Natyrisht, konkurrenca mund ta rrisë këtë çmim, veçse duhet thënë se kjo është dyfishi i asaj që kërkon të paguajë Beshiktashi i Superligës turke. Vrioni fitoi Këpucën e Artë në Bundesligën austriake, duke realizuar 19 gola e duke qenë shënuesi më i mirë. Ai la pas papritur Karim Adejemin e Salcburgut që shkoi tek Borusia e Dortmundit për 30 milionë euro.

Një transformim i vërtetë edhe pse Juventusi e kishte parashikuar. Të mos harrojmë se 23-vjeçari e nisi karrierën me Akademinë e Sampdorias, ku u dallua me golat e tij, dhe klubi piemontez pagoi 3.8 milionë euro për ta bërë të vetin. Një shifër aspak e vogël për moshën dhe për kohën, por e vërteta është që Vrioni nuk pati mundësi të luante me ekipin e parë të Juves, ku ishin Ronaldo, Dibala apo Morata. Ai u aktivizua me ekipin Shpresa, skuadrën deri në 23 vjeç, dhe thjesht u stërvit me yjet kryesorë, për t’u huazuar pastaj tek Tiroli. Historia e sezonit që sapo u mbyll njihet mirë dhe nuk është nevoja të përsëritet. A do të jetë shqiptari pjesë e Juves sezonin e ardhshëm? Duket e vështirë, por gjithsesi Sampdoria ia jep një mundësi për të luajtur në Serinë A duke e kërkuar në huazim për një vit.

Sfidanti.al