“Virusi” Pogba po shkatërron Murinjon dhe Junajtidin

Zhoze Murinjo është një trajner me nerva. Ai ishte i tillë edhe përpara ndeshjes së barazuar 2-2 në fushën e Sauthemptonit, por edhe pas saj. Mediat angleze njoftojnë se portugezi i bëri “për ujë të ftohtë” lojtarët e tij përpara fillimit të takimit, apo sipas shprehjes angleze “i bëri t’i thaheshin flokët”. Nervat vazhduan edhe në përfundim.

Lojtarë të ndryshëm konfirmuan për gazetat se Murinjo iu vërsul Pol Pogbasë, në sy të gjithë skuadrës, duke e quajtur “një virus që po infekton lojtarët rreth teje”. “Ti nuk përpiqesh për të luajtur, – kishte vazhduar Zhozeja, – ti nuk i respekton shokët e tu dhe as tifozët, dhe ti vret mentalitetin e njerëzve të ndershëm që janë krah teje”.

Pogba ishte i sulmuari i madh edhe para ndeshjes së Championsit, i akuzuar se solli berberin në hotelin ku ishte vendosur skuadra, për të rregulluar modelin e flokëve, ndërsa tensioni ishte i madh për fitoren. E vërteta është që sherri Murinjo-Pogba ka qenë gjatë gjithë sezonit, ashtu si edhe konflikti në distancë i trajnerit me drejtuesit.

Ai e vazhdoi edhe këtë konflikt duke theksuar pas ndeshjes se “më duhen lojtarë të fortë në mesfushë, “qen që të kafshojnë topin”, ne humbasim shumë topa në mesfushë”. Për ta bërë më të qartë se për këtë e kishte fjalën, ai shtoi se “Mektominai dhe Matiç luajtën shumë mirë”.

Sfidanti.al