Mallkon Toti, presidenti i Romës: Ende po ulëras!

Në Itali dihet, më shumë diskutohet për gabimet e gjyqtarit sesa për bukurinë e futbollit, dhe kështu ndodhi edhe pas Roma-Inter (2-2). Dueli i Serisë A ishte vërtet i bukur, natyrishte dhe me gabime, por për çfarë mund të flitej tjetër në përfundim të saj, përveçse për “moviolën”. Rasti ishte ai i penalltisë së pretenduar nga Roma në minutën e 36-të, pas atij që u duk si rrëzim i Xaniolos së Romës nga D’Ambrozio. VAR i dha të drejtë arbitrit Roki që nuk akordoi penallti, por “konsensusi” është që duhej dhënë penallti. Gazetat dhe televizionet italiane ishin në një mendje.

Pas takimit, presidenti i Romës, Xhejms Palota, ende nuk ishte qetësuar. “Jam ende duke ulëritur për atë që ndodhi, – u shpreh ai, – kjo po vazhdon prej shumë ndeshjesh. Nëse arbitri do të kishte bërë detyrën në pjesën e parë, do të kishim fituar”. Ish-kapiteni legjendar, sot drejtues, Françesko Toti, po ashtu ishte i zemëruar. “Një turp, – tha ai, – VAR, mesa duket, po shikonte një ndeshje tjetër”. Përsa i përket rezultatit, Interi ishte në dy herë në avantazh me Keita Baldenë dhe Mauro Ikardin, ndërsa Roma barazoi po dy herë me anë të turkut Under dhe penalltisë së Kolarovit (në foto).

Sfidanti.al