Ishte pjesa e parë e supersfidës Mançester Siti-Liverpul në Premier Ligë, dhe të kuqtë u duk se kishin shënuar. Sadio Mane gjuajti, topi goditi shtyllën, pastaj Stouns u përpoq ta largonte, por goditi portierin e tij Ederson, dhe sfera u drejtua për në rrjetë. Ndërsa ajo kalonte vijën fatale, Stouns nxitoi dhe e largoi jashtë portës. Gjyqtari pati ndihmën e teknologjisë në vijën e portës, dhe kjo dha përgjigjen “jo gol”.
Gjithsesi, ishin vetëm 11 milimetra që shpëtuan Sitin nga pësimi i golit, dhe ndaluan Liverpulin të shënonte e të shkëputej virtualisht 10 pikë në krye të Premier Ligës. Vështirë të ketë ndodhur ndonjë herë, që një garë për titull të jetë hapur thjesht për 1.1 centimetra distancë.
Në rrjetet sociale pati shumë komente dhe tallje për atë që ndodhi, me një komentues që shkruajti se “blerja e radhës e Sitit ishte ajo e teknologjisë në vijën e portës”. Skuadra e Guardiolës e fitoi ndeshjen 2-1 dhe ndodhet në vend të dytë, 4 pikë prapa Liverpulit.
Sfidanti.al