Vërtet do të bjerë “Perëndia” Olimpiakos nga kategoria? Ka hetim në Greqi!

Flasim për skuadrën më të shquar të Greqisë. Olimpiakosi i Pireut është në rrezik të madh për të rënë nga kategoria për shkak të një ndeshjeje të luajtur 5 vjet më parë. Ishte Olimpiakos-Atromitos në shkurt të 2015-ës, me skuadrën vendase që fitoi 2-1, dhe me akuzat për trukim që dolën më vonë. Ndeshja u hetua një herë, por procesi u mbyll dhe klubi i Athinës nuk pësoi ndonjë dëmtim, por duket se gjithçka do të nisë nga e para.

E përditshmja italiane, “Il Korriere delo Sport”, shkruan se rreziku është i madh dhe se nëse shpallet fajtor, klubi i madh grek do të bjerë nga kategoria. Po ashtu, do të gjobitet me 3 milionë euro. Plot 15 individë dyshohen si fajtorë, dhe më shumë se të gjithë mund ta pësojë presidenti Evangjelos Marinaqis , që mund të përjashtohet përjetë nga futbolli si dhe të marrë një gjobë prej 2.5 milionë eurosh.

Olimpiakosi është skuadra më e shquar e Greqisë dhe këtë sezon ndodhet gjithashtu në krye të renditjes së Superligës, i shkëputur me 7 pikë nga ndjekësi më i afërt, PAOK-u i Selanikut, ndërsa nuk ka humbur asnjë ndeshje. Po ashtu, Olimpiakosi është në të tetat e finaleve të Ligës së Europës, pasi eleminoi skuardën e shquar angleze, Arsenal. Në histori ka fituar 44 tituj kampion, 27 kupa të Greqisë dhe 4 Superkupa, që të gjithë rekorde të futbollit grek, ndërsa nuk ka rënë asnjë herë nga kategoria.

Sfidanti.al