Venger e dinte për Mbapenë, por PSG ka të dëmtuar … trajnerin!

Kur skuadra pariziente zbriti nga avioni në Lisbonë, fotografët dhe kuriozët vunë re diçka, një njeri jo edhe aq të ri, duke ecur i mbështetur mbi dy paterica. Ishte trajneri i Paris SG, Tomas Tuhel, me këmbën të dëmtuar, dhe në të cilën ishte vendosur një çizme mbrojtëse mjekësore. U mor vesh se Tuheli kishte thyerje kocke, por kuptohet kjo nuk do t’i prishë shumë punë skuadrës së tij në ndeshjen e Championsit ndaj Atalantës. Ndryshe qendron puna për yjet që do të dalin në fushë për çerekfinalen, por këtu PSG ka lajme të mira. Kilian Mbape u mësua se është mirë fizikisht pas dëmtimit, dhe se ka bërë stërvitje të lehtë, si dhe është ushtruar me gjuajtje në portë. Siç parashikoi Arsen Venger, Mbape do të jetë gati, por nuk dihet nëse që nga minuta e parë apo jo. PSG ka të dëmtuar Verratin, Kurzavën dhe Kehrerin.

Sfidanti.al