Ukraina U21 nderon vendin në nevojë, në gjysmëfinale të Europianit

Nuk është se nuk njihet kjo situatë, në të cilën sporti ndihmon imazhin e një populli dhe të një shteti. Kombëtarja e futbollit të Republikës Federale të Gjermanisë e bëri për dekada, që nga 1954-ra deri në 1990, kur vendi u bashkua, ndërsa këtë po e bën edhe Ukraina U21. Shpresat ukrainase i dhanë një shtysë të madhe morale popullit të tyre në luftë, ndërsa vazhdon sulmi i Rusisë, duke u kualifikuar për në gjysmëfinalet e Kampionatit Europian të moshës. Ukraina mundi 3-1 Francën favorite në stadiumin e Steauas në Bukuresht, me yllin e Çelsit, Mudrik, që shkëlqeu ndërsa golat u shënuan dy herë nga Sudakov dhe një nga Bondarenko. Ukraina U21 do të luajë në gjysmëfinale ndaj Spanjës.

Sfidanti.al