Triumfi i Kosovës, Krasniqi e Kuka janë më të mirët e xhudos në Botë!

Një shtet i vogël që sporti e bën kaq të madh. E tillë është historia e Kosovës së cilës imazhi i është rritur pa masë nga xhudoja. Pas shkëlqimit verbues të Majlinda Kelmendit, kampionia e parë olimpike e Kosovës në 2016 në Rio de Zhaneiro, dhe kampiona e parë olimpike e një shteti të shqiptarëve, ja ku erdhi “Tokio 2020” për medaljet e tjera. Kosova fitoi dy të arta gjithnjë në xhudo, me Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën. Pikërisht, Krasniqi u shpall xhudistja më e mirë femër e botës për vitin 2021, duke ia njohur suksesin në Lojrat Olimpike. Trajneri i tyre, Driton Kuka, u shpall trajneri më i mirë i xhudos në botë. Një vlerësim i shkëlqyer dhe i merituar për xhudon e Kosovës, ndërsa shteti më i ri i Europës ka edhe të tjerë sportistë me pretendime për sukses në këtë sport, si Akil Gjakova, Loriana Kuka, Laura Fazliu, Erza Muminoviqi, Flaka Loxha apo Shpati Zekaj.

Sfidanti.al