Tripikësha “për të tërë”, Golden Stejti e Sakramento vendosin rekordin në NBA

Kosha nga distanca për të gjithë. Ky ishte komenti i mediave amerikane, në përfundim të ndeshjes së NBA-së, mes Sakramentos dhe Golden Stejtit. Fitorja ishte për miqtë, 127-123, por më shumë sesa rezultati tërhoqi vëmendjen numri i tripikëshave të shënuar, 41 gjithsej, një rekord i ri në basketbollin amerikan.

Më herët, ndeshja me më shumë realizime nga largësia ishte ajo mes Klivlendit dhe Minesotës, me 39. Përveç kësaj, ishte hera e parë që dy skuadra shënonin të paktën nga 20 kosha tripikësh në një sfidë të vetme. Rekordi i tretë ishte për Sakramenton, sepse për herë të parë realizoi 20 gjuajtje të tilla në një takim.

Stefën Kërri ishte lojtari më i mirë i ndeshjes me 42 pikë gjithsej, dhe me 10 tripikësha. Kampionët e Golden Stejtit krijuan një epërsi prej 15 pikësh që në periudhën e parë, por e shpërdoruan, siç u ndodhi edhe ndaj Hjustonit, kur u mundën edhe pse kryesuan me 20 pikë diferencë.

U deshën koshat e Kërrit, që realizoi 20 pikë në periudhën e katërt, që të arrihej fitorja. Kevin Durant, gjithashtu, u tregua i saktë nga distanc, ndërsa shënoi gjithsej 29 pikë, si dhe kapi 5 topa në tabela, e shërbeu 9 pasime për kosh, ndërsa kapiteni Klej Tompson shtoi edhe 20 pikë të tjera.

Badi Hield ishte më i miri për vendasit me 32 pikë dhe 8 tripikësha, por nuk mjaftoi. Golden Stejti mban vendin e tretë në Konferencën Perëndimiore, me 26 fitore e 14 humbje.

Sfidanti.al